Norvegjia është vendlindja e dizajnit të bazuar në parime gjithëpërfshirëse. Përvojat tona i ndajmë me kënaqësi me të tjerët, siç kemi bërë duke vendosur një skulpturë në kampusin universitar në Rijekë të Kroacisë. Tani po prezantojmë edhe zgjidhje të tjera të bazuara në këtë qasje dizajni, i cili nuk lë askënd pas dhe krijon një shoqërie më të hapur.
Për të reflektuar larminë e shoqërisë sonë, duhet të dizajnojmë produkte, shërbime dhe zgjidhje digjitale që mund t’i përdorin dhe t’i përjetojnë të gjithë. Dizajni dhe arkitektura gjithëpërfshirëse luajnë një rol thelbësor në këtë proces.
Dizajni gjithëpërfshirës është një qasje në dizajn që synon të krijojë produkte, shërbime, mjedise dhe përvoja që janë të qasshme dhe të përdorshme për sa më shumë njerëz, pavarësisht moshës, aftësive, gjinisë, kulturës apo prejardhjes së tyre. Ndryshe nga dizajni tradicional, i cili shpesh synon përdoruesin mesatar, dizajni gjithëpërfshirës e njeh diversitetin dhe u përgjigjet nevojat të grupeve të margjinalizuara ose të përjashtuara, duke siguruar që askush të mos lihet pas.
Organizata norvegjeze Design and Architecture Norway (DOGA) promovon përdorimin e dizajnit dhe arkitekturës për të mbështetur inovacionin në sektorin privat dhe publik. Ajo ka përzgjedhur 12 projekte inovative nga fusha dhe industri të ndryshme, të cilat i konsideron se meritojnë vëmendjen tuaj.
Shëtitje mes kurorave të pemëve: shtegu Hamaren
“Hamaren” është bërë një atraksion shumë i popullarizuar në Fyresdal, por shumë njerëz nuk mund të ngjiteshin deri në majë. Komuna vendosi ta zgjidhë këtë problem. Ata dëshironin të krijonin një përvojë spektakolare për të gjithë, pavarësisht aftësive të kufizuara apo kufizimeve të tjera në lëvizje.
Përmes pjesëmarrjes së përdoruesve dhe takimeve me disa organizata dhe palë të interesuara, komuna dhe partnerët e saj mblodhën informacion mbi të gjitha nevojat. Rezultati është shtegu i parë mes kurorave të pemëve në Norvegji, i gjatë një kilometër, i cili ngjitet nga uji përmes pikave spektakolare të vëzhgimit dhe përfundon në majën e Klokkarhamaren. Falë pjerrësisë së butë dhe të vazhdueshme, kjo është një shëtitje në të cilën mund të kënaqen të gjithë.
Foto – Rasmus Hjorthøj
Kështjella Akershus: monument kulturor i hapur për të gjithë
Me mure të larta, salla madhështore dhe qeli të errëta, kështjella Akershus daton nga Mesjeta. Fatkeqësisht, ky atraksion i rëndësishëm nuk ka qenë plotësisht i qasshëm për të gjithë, veçanërisht për personat që përdorin karroca invaliditeti ose kanë probleme me të pamurit. Megjithatë, përmes diskutimeve publike dhe mbledhjes së reagimeve nga palë të ndryshme të interesuara - përfshirë punonjës, vizitorë, shoqata dhe autoritetet për ruajtjen e trashëgimisë - u zbatuan zgjidhje të ndryshme jo-invazive.
Këto zgjidhje, përfshirë rampat, ashensorët, ndriçimin e përmirësuar dhe kontrastin e shtuar, janë projektuar për t’u shërbyer të gjithë vizitorëve, duke ofruar ndihmë të vlefshme atyre që kanë më shumë nevojë.
Foto: Forsvarsbygg
Heymat: Tapete hyrëse që nuk ngrihen në skaje
Tapetet e zakonshme shpesh ngrihen në skaje, për shembull kur përdoren nga persona me karrocë invaliditeti ose me karroca për fëmijë. Sonja Djønne dhe Thoralf Lian, një çift me përvojë në pastrimin dhe qiradhënien e tapeteve industriale, gjetën një zgjidhje për këtë problem, që në dukje duket i thjeshtë, por është i zakonshëm. Së bashku ata themeluan Heymat.
Duke u bazuar në dizajnin gjithëpërfshirës dhe testime të gjera, ata zhvilluan disa seri të njohura tapetesh, përfshirë Heymat Original. Këto tapete janë më të mëdha se shumica e tapeteve në treg dhe qëndrojnë të shtrira në dysheme edhe kur kalohen mbi to me karroca elektrike invaliditeti. Aftësia e tyre e lartë për të thithur lagështinë ndihmon në mbajtjen e shtëpisë të pastër, ndërsa për dizajnin e tyre kujdesen disa nga dizajnerët më të mirë në vend.
Foto: Vera Kyte/Kirsten Visdal/Sofie Brovold
Shtegu i kujtesës: vendtakim për të gjitha gjeneratat
Rritja e numrit të personave me demencë rrit nevojën për zgjidhje që nxisin aktivitetin, pavarësinë dhe kontaktin social. Për këtë arsye, Oslo dhe njësia lokale Ullern ndërtuan shtegun e parë të kujtesës në qytet. Kjo hapësirë e jashtme e dizajnuar në mënyrë universale, e vendosur pranë qendrës lokale shëndetësore dhe shtëpisë së të moshuarve, e lehtëson lëvizjen pavarësisht aftësive të kufizuara. Ajo përfshin hapësira për aktivitete me pajisje ushtrimesh, stola, një tavolinë shahu dhe një fushë petanque, si dhe një kopsht ndijor (për stimulimin e shqisave).
Sinjalistika përgjatë shtegut ofron informacione për historinë lokale dhe zgjon kujtime nga e kaluara. Shtegu ka efekt stimulues për pacientët me demencë dhe banorët e shtëpisë së të moshuarve, ndërsa njëkohësisht shërben si një vend i këndshëm për familjarët, personelin shëndetësor dhe komunitetin lokal.

Foto: Nikoli Kobets Freund/Oslo kommune
Kartolina urimi që pasqyrojnë diversitetin shoqëror
Pak fëmijë dhe të rritur përshtaten me rolet dhe modelet stereotipike shoqërore. Jo çdo vajzë dëshiron të bëhet princeshë rozë, jo çdo djalë futbollist, dhe jo çdo familje ka dy prindër. Megjithatë, këto ilustrime kanë qenë më të zakonshmet në kartolinat e urimeve. Dyqani i ri për fëmijë “Rabalder” dëshironte të ofrojë një alternativë ndaj kësaj qasjeje.
Ata përdorën aktivisht rrjetet sociale për të mbledhur propozime dhe sugjerime dhe krijuan kartolina urimi me më shumë se njëqind motive, duke përfshirë situata të ndryshme familjare dhe jetësore, identitete gjinore, fe dhe aftësi të kufizuara.

Foto: Theodor Henriksen
Aplikacioni për transportin publik në Oslo: Udhëtim gjithëpërfshirës
Shumica e njerëzve që përdornin transportin publik në Oslo dhe Akershus duhej të përdornin dy aplikacione: një për planifikimin e udhëtimit dhe një tjetër për blerjen e biletave. Meqenëse kjo nuk ishte as efikase dhe as praktike, Ruter, autoriteti i përbashkët për transportin publik në Oslo dhe Akershus, vendosi t’i bashkojë këto aplikacione në një të vetme.
Përmes sprintesh të ndryshme ndërdisiplinore të dizajnit dhe zhvillimit, si dhe testimeve të shpeshta të prototipeve, Ruter krijoi një aplikacion të thjeshtë për përdorim, i cili njëkohësisht ofron shumë informacione të dobishme. Me një sërë funksionehs gjithëpërfshirëse, si modaliteti i errët dhe funksioni i shndërrimit të tekstit në të folur, aplikacioni është bërë më i mirë për të gjithë.

Foto: Ruter
“Salaby”: Të mësuarit universal dhe i gëzueshëm
Me 310.000 përdorues dhe një katalog të madh aktivitetesh për të gjitha klasat e shkollës fillore, “Salaby” është një nga burimet digjitale më të mëdha për mësim në Norvegji. Me synimin për të arritu nxënës të të gjitha grupmoshave, gjinive, niveleve të njohurive, motivimit dhe aftësive të kufizuara, përmes grupeve të fokusit dhe paneleve testuese u analizuan nevojat e nxënësve dhe mësuesve. Kjo rezultoi në detyra të këndshme dhe një strukturë të qartë me menu të lehta për përdorim. Përmbajtja u përshtat gjithashtu për personat me dëmtime në të parë dhe në dëgjim, në mënyrë që askush të mos përjashtohet nga të mësuarit.

Foto: Hey Production
“Smellet’: Një histori gjithëpërfshirëse mbi radikalizimin
Radio-televizioni norvegjez rrëfen historinë e një 19-vjeçari norvegjez, i cili në vitet 1980 sulmoi një xhami në Frogner të Oslos. Qëllimi është të arrihen të rinjtë me një temë të rëndësishme: radikalizimin. Për të angazhuar të rinjtë, NRK kuptoi se nuk mund të mjaftohej me një artikull të thjeshtë gazete. Prandaj “Smellet” (shpërthimi) është njëkohësisht libër audio, podcast, lojë dhe artikull- të gjitha të bashkuara në një histori të vetme. Kjo e vendos lexuesin në rolin e protagonistit.
Dizajni universal ishte një element i përbashkët gjatë gjithë projektit, duke siguruar që edhe personat që përdorin lexues të ekranit të kenë një përvojë po aq të mirë sa të gjithë të tjerët.

Foto: Renate Rognan
WALL-IT: Përfshirje akustike
Edhe personat me dëgjim të përsosur e kuptojnë shpejt sa lodhëse mund të jetë qëndrimi në një hapësirë me akustikë të dobët. Nëse dikush ka dëmtime në dëgjim, kjo mund të jetë pothuajse e padurueshme. Me vizionin “Së bashku krijojmë muret e së ardhmes”, biznesi familjar WALL-IT punon aktivisht për zgjidhjen e këtij problemi.
Ata kanë zhvilluar zgjidhje akustike nga materiale të qëndrueshme, si dhe një punëtori të vetën për krijimin e zgjidhjeve të personalizuara. Bashkëpunojnë me arkitektë dhe klientë për të përshtatur zgjidhjet akustike për çdo projekt ndërtimi, qoftë ndërtesë zyrash, teatër, hotel apo dhomë ndenjeje.

Foto: WALL-IT
ADADHD: Lehtësimi i bisedës rreth ADHD-së
Si është në të vërtetë të kesh ADHD? Shumë njerëz me këtë gjendje e kanë të vështirë të shprehin dhe t’u përshkruajnë të tjerëve se si e përjetojnë atë. Kjo ishte pika fillestare për librin “ADADHD”, i cili rrit mirëkuptimin dhe nxit dialogun mes personave me ADHD, familjarëve të tyre, profesionistëve shëndetsorë dhe të tjerëve.

Foto: Michal Taraldset
EVA: Veshje dinjitoze për pacientët në kujdes shëndetësor
Shumë persona të moshuar me aftësi të kufizuara kanë nevojë për kujdes të përditshëm, prandaj veshja e tyre duhet të jetë praktike. Për këtë arsye, ata shpesh përfundojnë me pantallona dhe bluza sportvie shumë të gjera. Studentja e dizajnit të modës, Ingri Juli Anne Brinch Ness, dëshironte të gjente një zgjidhje për këtë problem.
Ness ka punuar si kujdestare në një shtëpi për të moshuar dhe kështu ka përjetuar nga afër se cilat funksione praktike duhet të ketë veshja e pacientëve. Këtë njohuri ajo e ka përfshirë në dizajnin e koleksionit EVA. Përveç faktit që përbëhet nga veshje shumë të lehta për t’u veshur dhe hequr, koleksioni u mundëson pacientëve të zhvillojnë stilin e tyre personal.
Mbylljet e vendosura në mënyrë strategjike e lehtësojnë punën e kujdestarëve dhe e bëjnë atë më pak invazive, ndërsa rripat shërbejnë si doreza për ndihmë gjatë ngritjes në pozicion ulur.

Foto: Tekla Lou Bransæter
Lydstyrke: Le të dëgjohet çdo fëmijë
Rreth 2.500 nxënës norvegjezë kanë humbje të dëgjimit. Këta fëmijë marrin më pak mbështetje të specializuar sesa nxënësit e shurdhër dhe mund të përjashtohen nga klasa dhe nga oborri i shkollës.
Studentet Tina Mee Johnsen dhe Kristin Marie Brudeseth vendosën të bëjnë diçka për këtë. Në tezën e tyre të diplomës, ato zhvilluan intervista të thelluara me nxënës, mësues, prindër dhe ekspertë. Rezultati është “Lydstyrke”, një shërbim për nxënësit e klasës së parë dhe të dytë të shkollës fillore.
Përmes ushtrimeve në klasë, krijimit të përbashkët dhe tregimeve edukative, “Lydstyrke” ndihmon në rritjen e ndërgjegjësimit dhe krijimin e një mjedisi më gjithëpërfshirës në klasë.

Foto: Tina Mee Johnsen og Kristin Brudeseth
Nga dizajni inkluziv drejt një shoqërie më të hapur
Këto projekte tregojnë se si përfshirja në dizajn dhe inovacion përmirëson shërbimet dhe produktet për të gjithë, jo vetëm për personat me aftësi të kufizuara. Të gjitha këto projekte kanë përfituar nga kërkime të thelluara mbi nevojat dhe diskutime me palët e interesuara. Një përfshirje e tillë në procesin e dizajnit jo vetëm që është shoqërisht e përgjegjshme, por pa dyshim i ka forcuar projektet dhe ka sjellë rezultate që nxisin pranimin dhe hapjen.
Shpresojmë që kjo të shërbejë si frymëzim për shumë inovatorë, dizajnerë dhe sipërmarrës shqiptarë.
Artikulli bazohet në faqen e internetit Design and Architecture Norway: Hederlig omtale til 12 inkluderende innovasjonsprosjekter | DOGA.